• Futboll:

  • Kukeli i zënë për Shqipërinë

    Futboll|13/05/2012 12:00

    Burim Kukeli ka marrë ftesë nga selektori i Shqipërisë, Gianni De Biasi për dy ndeshjet miqësore kundër Katarit dhe Iranit. Por mesfushori kosovar i është përgjigjur negativisht ftesës për shkak të obligimeve me klubin. 28-vjeçari është i gatshëm të vishet kuqezi, nëse i jepet mundësia ndonjëherë tjetër.

    Gianni De Biasi e ka ftuar në Kombëtaren shqiptare mesfushorin kosovar, Burim Kukeli, për dy ndeshjet miqësore që do t’i zhvillojnë kundër Katarit më 22 maj dhe Iranit, pesë ditë më vonë.

    Por fatkeqësisht, ëndrra e 28-vjeçarit për t’u veshur kuqezi nuk do të realizohet tani. Ai i është përgjigjur negativisht ftesës së italianit për shkak të obligimeve që ka me skuadrën e Luzernit, në kampionatin zviceran.

    “Në klub më ka ardhur ftesa nga Federata Shqiptare e Futbollit për dy ndeshjet miqësore kundër Katarit dhe Iranit, por fatkeqësisht unë nuk mund të luaj në këto dy takime”, ka thënë Kukeli për Express.

    “Më 23 maj kam ndeshjen e fundit me Luzernin, kurse më 27 maj jam në pushim dhe për këtë arsye nuk mund t’i bashkohem Shqipërisë. Unë kam vetëm dy javë e gjysmë pushim dhe patjetër më duhet të pushoj, sepse përndryshe më bie që dy sezone të luaj pa pushim dhe kështu rrezikoj të lëndohem”, theksoi ai.

    Mirëpo, mesfushori me prejardhje nga Gjakova është i gatshëm ta pranojë ftesën e Kombëtares shqiptare, nëse një gjë e tillë do t’i bëhet sërish nga trajneri italian, Gianni De Biasi.

    “Kam biseduar me zyrtarë të Federatës dhe i kam shpjeguar se si është situata. Unë jam i gatshëm të luaj për Kombëtaren shqiptare, nëse marr sërish ftesë nga trajneri”, u shpreh Kukeli.

    De Biasi e kishte vëzhguar nga afër ish-anëtarin e skuadrave, Olten, Zofingen e Schotz dhe kishte vendosur ta ftoj në ekipin kuqezi pasi i kishte lënë përshtypje me paraqitjet e tij.

    “De Biasi më ka shikuar duke luajtur në kampionat me Luzernin. Jam takuar me të pas ndeshjes dhe kemi biseduar. Ai u shpreh i interesuar të më marrë në Kombëtare”, rrëfen gjakovari, i cili në fund të sezonit do t’i japë lamtumirën Luzernit, pas katër sezoneve, derisa do t’i bashkohet Zurichut, me të cilin klub ka nënshkruar kontratë trivjeçare.

    Ndeshjen kundër Katarit, e cila do të luhet më 22 maj, kuqezinjtë do ta zhvillojnë në Madrid, derisa përballjen e 27 majit kundër Iranit do ta luajnë në Stamboll.

    Berisha OK, pritet Mavraj

    Përveç Burim Kukelit, trajneri Gianni De Biasi për miqësoret kundër Katarit dhe Iranit në ekipin kuqezi e ka ftuar edhe portierin kosovar, Etrit Berisha. Për dallim nga Kukeli, anëtari i ekipit suedez, Kalmar ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës.

    Po ashtu, ekipit kuqezi ka gjasa t’i bashkohet edhe mbrojtësi kosovar, Mërgim Mavraj. Anëtari i ekipit gjerman, Greuther Furth posedon pasaportën shqiptare, por që dy herë kishte refuzuar ta veshë fanellën e Shqipërisë.

    Mavraj ishte penduar për këtë, derisa trajneri italian menjëherë e kishte vëzhguar nga afër dhe kishte biseduar me të rreth inkuadrimit në Kombëtaren shqiptare.

    Aktualisht, fanellën e Shqipërisë e bartin Samir Ujkani, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri dhe Ahmed Januzi, derisa pas një pauze, ekipit pritet t’i bashkohet edhe Besart Berisha.

    Komentet jane te mbyllura

    Rummenigge: Real-i do gjejë ferrin në Allianz Arena
    Benfica fiton në minutat e fundit ndaj Juventus
    Mourinho do të luajë më skuadrën e dytë ndaj Liverpool
    Platini: PSg nuk rrezikon përjashtimin